1. Përmbajtja
  2. Navigimi
  3. Përmbajtje të tjera
  4. Metanavigimi
  5. Kërkoni
  6. Zgjidhni mes 30 gjuhëve


 

Lajme | 30.07.2010 | 09:00 UTC

Kosova përpiqet për njohje të gjerë në OKB

Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni është përpjekur në Kombet e Bashkuara për njohje të gjerë të vendit të tij. Një javë pas shqiptimit të vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Hyseni është takuar me përfaqësues të shumtë të vendeve anëtare të OKB-së në selinë qendrore të organizatës në Nju-Jork. Hyseni ka shpehur shpresën që vende evropiane si Spanja dhe Greqia të ndryshojnë mendim dhe të njohin vendin e tij. Më tej ministri i Jashtëm i Kosovës ka theksuar se pavarësia e Kosovës nuk është rast precedent për kombet e tjera në botë. Aktualisht njohja e pavarësisë së Kosovës refuzohet në radhë të parë nga vende, në të cilat ka tendenca shkëputjeje të rajoneve të caktuara. Më parë ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç ishte takuar me Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Mun. Serbia të premten e kaluar dorëzoi një projekt-rezolutë në OKB në të cilën insiston se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Kosova është "e papranueshme", dhe bën thirrje për bisedime të reja për çështjet e hapura, përfshirë statusin e Kosovës.

Ky hap i Serbisë ka ngjallur pezmatimin e Perëndimit. Gazetat serbe citojnë amabsadorin britanik në Serbi Stephen Wordsworth, i cili e ka cilësuar tekstin e projekt-rezolutës "të papranueshëm" dhe i ka bërë thirrje Beogradit ta tërheqë për modifikime. Edhe përfaqësia diplomatike e SHBA-së në Beograd shprehu keqardhje që Serbia nuk u konsultua me SHBA para dorëzimit të projekt-rezolutës. Nëse Serbia do të ngulë këmbë në këtë projekt-rezolutë ajo duhet të presë një kundër-rezolutë nga të paktën 22 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, citojnë gazetat serbe diplomatët evropianë.