Shoqëria & Kultura | 18.03.2010
“Vdekja e tregtarit të vogël” në rrugët e Athinës
Ndoshta më shpejt nga ç'pritej, kriza nga një “shoë televiziv” morri trajtën e saj konkrete. Një “autopsi” e shkurtër nëpër rrugët tregtare të Athinës, e dëshmon këtë më së miri. Qepena dyqanesh që nuk ngrihen më si më parë çdo mëngjes apo të tjera që mbeten të ngritura me qëllim që të duken raftet bosh, por edhe lajmërimi se jepen me qira ose shiten. Në rrugën Harillau Trikupi 72-78, nga 9 dyqanet në të dy anët e rrugës, 6 prej tyre janë me dryn te hyrja.
"Nuk shihet drita në fund të tunelit"
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Rruga e mbyllur
“Shoqja jonë në krah, që kishte artikuj për fëmijë iku. 45 vjeç ishte këtu dhe tani e mbylli. Më tutje Hiotaqis që kishte embëltoren gjithashtu. Ngjitu më lart, e njëjta gjë”, rrëfen tregtari Dhimitrios Gjikas, që na bën sigurisht “guidën më të dhimbshme” të jetës së tij profesionale. Vërtet, me cilën periudhë mund të krahasohet kjo “paralizë tregtare” e Athinës me 5.000 dyqanet e saj?
“Me asnjë. Kam 35-36 vjet në punë. Këtë gjë për herë të parë ma shohin sytë”, thotë Dhimitrios, i cili nuk sheh, siç thotë, “dritë në fund të tunelit”. Tani shet tek tuk vetëm ndonjë ikonë. Të vijë tani t'i thotë dikush “dua atë pikturë” – muret e dyqanit ishin veshur me to - ngjan, siç thotë, “si kujtim i largët”. Do të qendrojë edhe 5-6 muaj, aq sa i duhen për të dalë në pension, por edhe për të shitur mallin që ka ende.
Dikur mirë, e tani...
Donika Llani nga Shqipëria ka sigurisht arsye më të forta që ta mbajë hapur me çdo kusht mini-marketin e saj, megjithë “presionin” e madh që i bën kriza për ta nxjerrë në rrugë pas 7 vjetesh pune.
“Në fillim eci shumë mirë, punoja që nga ora shtatë e mëngjesit deri në 12 të natës, kur mbyllet dyqani. Ndërsa tani ka rënë gati 30% dhe nuk e di se si do të vejë puna”, ankohet ajo.
Nuk do as ta mendojë se mund të humbasë punën, që është i vetmi burim jetese për familjen e saj, si për shumë bashkatdhetarë të saj të tjerë të mundit dhe të djersës.
“Është e vështirë për ne shqiptarët. Për të gjithë, por veçanërisht për ne shqiptarët që shumica kanë mbetur pa punë”, pohon ajo.
Kriza edhe në rrobaqepësi
I njejti ankth edhe nga Vanka Kuillova nga Bullgaria, që kriza e ka vënë fort në shenjestër rrobaqëpësinë e saj pavarësisht talentit dhe klientelës së saj të madhe.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Vanka Kuillova
“Nuk jam thjesht rrobaqepëse, jam dizajnuese, jam shumë e mirë në punën time”, thotë Vanka, e cila arriti të pajtojë dhe një vendas në dyqanin e saj.
“Diskutojmë ta mbyllim dyqanin. Gjendje dramatike. Grek, punonjës i bullgares jam”, thotë Dhimitris Kalinis, aktivist i partisë në pushtet - siç thotë - që hap bisedën lirshëm duke shpalosur bashkë me të edhe krizën në dyqanin e vogël. “Problemin e evidentoj në masat e reja, të muajit shkurt. Ky cikël është si enet komunikuese. Prerja e kompensimeve, ngrirja e pagave, lanë njerëzit pa fuqi blerëse dhe xhiroja në të gjitha dyqanet ka rënë 90%”, thotë Kalinis, i cili e konsideron pronaren e tij me fat që nuk ka ky hyrë në borxhe dhe kredi, që sipas tij “janë përralla me mbret se u jepen edhe të vegjelve”.
"Do t'i shkruaj letër ministrit"
Sipas tij, u jepen vetëm “dyqaneve me xhiro të madhe”, por edhe ato po mbyllen... se janë edhe tregtarët ambulantë, kryesisht afroaziatikë, rreth 35.000 në numër, me një xhiro informale 20 miliardë euro në vit. Për këtë gjendje dëshpëruese do t'i shkruaj, thotë, “një letër dramatike ministrit të Ekonomisë”.
Një letër që do të jetë sigurisht e shkruar me ankthin e luftës së përditshme të tregtarëve të Athinës për të mbijetuar. Një letër që shumëkujt i kujton romanin e famshëm “Vdekja e tregtarit të vogël” të para 60 vjetëve të shkrimtarit amerikan Arthur Miller, i cili rishkruhet përditë nëpër rrugët e Athinës.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Bahri Cani















